Ballina

EULEX-i përforcon njësitin policor të specializuar në Kosovë

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX ka njoftuar se është duke e përforcuar Njësinë Policore të Specializuar (NJPS) të tij përmes dislokimit të përkohshëm të pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmërisë (EUROGENDFOR) nga Franca, Italia, Lituania dhe Portugalia.

“Këta policë do të punojnë krah për krah me NJPS-në e siguruar nga Policia e Polonisë, për ta përmbushur mandatin e Misionit në mbështetje të stabilitetit në mbarë Kosovën dhe për të garantuar siguri për të gjitha komunitetet.” – thuhet në njoftimin e EULEX-it të datës 14.01.2025.

NJPSR-ja do të përbëhet nga asetet EUROGENDFOR-it të siguruara nga Xhandarmëria Kombëtare Franceze, Karabinierët Italianë, Shërbimi i Sigurisë Publike i Lituanisë dhe Garda Kombëtare Republikane e Portugalisë.

NJPSR-ja pritet të arrijë në Kosovë gjatë ditëve në vijim, për ta adresuar nevojën e Misionit për forca shtesë në terren për t’i mbështetur më mirë homologët kosovarë.

“Duke përfshirë funksionimin si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë, nëse kjo kërkohet dhe është e nevojshme. NJPSR-ja do të kryejë patrullime të dukshme dhe do të kontribuojë që Misioni të ketë pasqyrë të qartë për situatën.” – theksohet në njoftim.

Ky do të jetë dislokimi i pestë i NJPSR-së së EULEX-it, ndërsa dislokimi i parë është bërë në mars 2022.

EULEX-i shërben si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë, në kuadër të mekanizmit me tri nivele të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti, kurse misioni KFOR i udhëhequr nga NATO është i treti.

Kosova do të mbajë Zgjedhjet e rregullta parlamentare më 09.02.2025.

Mbajtja e votimeve bëhet në një kohë kur – në dy vjetët e fundit – tensionet kanë qenë të larta në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.