Ballina

Zgjedhjet e 9 shkurtit, KQZ-ja akrediton grupet e para të vëzhguesve të katër subjekteve politike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka akredituar të hënën, më 12.01.2025, në mbledhjen e radhës grupin e  parë prej 2,274 vëzhguesve të katër partive politike të certifikuara për zgjedhjet e përgjithshme që mbahen më 09.02.2025.

Gjatë kësaj mbledhjeje, KQZ ka miratuar akreditimin e grupit të parë prej 95 vëzhguesve nga Partia Demokratike e Kosovës, grupin e parë prej 1,725 vëzhgueves nga Lidhja Demokratike e Kosovës, grupin e parë prej 234 vëzhguesve nga Koalicioni “Vakat”, dhe grupin e parë prej 220 vëzhguesve nga Nova Demokratska Stranka.

Besnik Buzhala, drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP), tha se sipas ligjit, subjektet politike që janë certifikuar për zgjedhjet e 9 shkurtit kanë afat deri më 15.01.2025 të aplikojnë për akreditimin e vëzhguesve të tyre.

“Secili subjekt i certifikuar për zgjedhjet mund të parashtrojë pranë KQZ kërkesë për aplikim për akreditimin e vëzhguesve më së voni 25 ditë para ditës së zgjedhjeve. Për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që mbahen më 09.02.2025, afati i fundit për aplikim për akreditim përfundon më 15.01.2025”- tha ai.

Sami Kurteshi, anëtar i KQZ-së, propozoi që KQZ të shtyjë afatin për regjistrimin e vëzhguesve të subjekteve politike.

Ky propozim u mbështet edhe nga anëtarë të tjerë të KQZ-së por u kundërshtua nga kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi. “Është shkelje e ligjit nëse e zgjasim afatin e aplikimit, dhe shkurtojnë afatin prej më vonë 25 ditë para ditës së zgjedhjeve”- tha Radoniqi.

Por, Kurteshi tha se kërkesën e tij e bazooi në nevojën që kanë partitë politike për zgjatje të afatit.

“Po, mundet me u shkel ligji, por kjo shkelje e ligjit nuk është cenim i së drejtës së askujt, vetëm ndihmë, edhe ligji mendoj që është tolerant, kur ka mundësi me i ndhmu dikujt edhe me u shkel një afat, por jo mu shkel e drejta e dikujt” – tha Kurteshi.

Gjatë kësaj mbledhjeje, KQZ shqyrtoi edhe raportim për aktivitete e Sekretariatit të KQZ-së rreth votimit me postë dhe nëpër përfaqësitë diplomatike, shqyrtimin dhe miratimi i planit operacional të sigurisë për zgjedhjet e 09.02.2024.