Ballina

Takimi në Bruksel për personat e pagjetur – reagon Andin Hoti

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti ka dhënë detaje rreth takimit në Bruksel për personat e pagjetur.

I dërguari i veçantë i Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak ka njoftuar se gjatë kësaj jave në Bruksel fokusi kryesor është te takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se takimi që do të mbahet më 15.01.2025 në Bruksel, do të jetë takimi i parë inaugurues i Komisionit të Përbashkët.

“Në këtë takim, Halil Cenaj është caktuar si përfaqësues Delegacionit të Republikës së Kosovës.” – ka bërë të ditur Hoti.

Sipas tij, takimi ka për qëllim përcaktimin e Planit të punës për seancat e ardhshme, si dhe adresimin e çështjeve të rëndësishme, sipas Hotit, për çështjen e personave të zhdukur.

“Në këtë kontekst, delegacioni ynë do të prezantojë disa kërkesa kyçe, që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën e kemi adresuar te Vuçiq dhe çështje të tjera të rëndësishme në këtë fushë.” – ka shkruar në fund Hoti.

Së fundmi, në dhjetor të vitit 2024, Kosova dhe Serbia përmes përfaqësuesve të tyre në Dialog janë pajtuar për zbatim të plotë të Deklaratës për Personat e Zhdukur.

Kjo Deklaratë e përbashkët në mes të dyja shteteve ishte miratuar në maj të vitit 2023, në kuadër të Dialogut dhe përmbante zotime si: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një Komisioni të kryesuar nga Bashkimi Europian.

https://kallxo.com/lajm/lajcak-thote-se-fokusi-i-javes-ne-bruksel-eshte-tek-takimi-i-pare-i-komisionit-te-perbashket-per-personat-e-zhdukur/