Ballina

Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, fillon dëshminë eksperti i mjekësisë ligjore William Goodwin

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, më 13.01.2025, ka filluar dëshminë eksperti i mjekësisë ligjore, Willaim Goodwin – dëshmitar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).

Dëshmitari Goodwin në pyetjet e prokurorit Pace deklaroi se ka përgatitur një Raport të datës 22.09.2021 dhe shtoi se ky Raport përfshin opinionin e tij të pavarur në pyetjet që ia ka parashtruar ZPS-ja në letrën udhëzuese së bashku me dokumentet përkatëse, që e kishte marrë më 30.07.2021.

Tutje, lidhur me këtë Raport prokurori Pace deklaroi se ky është një Raport i ADN-së për një person, por emri i të cilit nuk u përmend në seancë të hapur.

Gjatë dhënies së dëshmisë së dëshmitarit Goodwin, prokurori James Pace lexoi një pjesë të Raportit të dëshmitarit të lartcekur.

Prokurori Pace tha se në Raportin e ekspertit mjekoligjor thuhet se profili i ADN-së është i kriptuar, e që e kufizon mundësinë për rishikim të plotë dhe tha se bazuar në pjesëtarët e familjes që janë të disponueshëm dhe leukocitet që përputhen gjasat e përputhjes dhe probabiliteti i identitetit duken të arsyeshme.

Për këtë, dëshmitari Goodwin deklaroi se nuk ka asgjë për të ndryshuar për këtë pjesë.

Tutje, prokurori Pace pyeti dëshmitarin nëse kishte përgatitur një Raport tjetër të datës 06.03.2023. Për këtë dëshmitari e pohoi se kishte përgatitur këtë Raport të kësaj date, pas udhëzimeve të ZPS-së.

Tutje, prokuroi Pace pyeti dëshmitarin për informacione shtesë, lidhur me këtë Raport.

“Shohim nënë, baba, bashkëshorte, vajzë, djalë. A mund të na thoni informacionet shtesë që po shihni tani, nëna, babai, bashkëshortja, vajza, djali kanë ndonjë ndikim në vlerësimin tuaj në Raportin tuaj?” -pyeti Prokurori dëshmitarin.

Ndërkaq, për këtë dëshmitari Goodwin deklaroi se për këtë rast ka të dhëna të plota, duke thënë se kemi nënën, babanë, vajzën, djalin dhe bashkëshorten të cilët me personin e zhdukur mund të rrisin jashtëzakonisht gjasat.

Prokurori Pace përfundoi pyetjet për dëshmitarin Goodwin, ndërsa seanca është duke vazhduar tutje me pyetjet e mbrojtjes.

Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjyqtarët Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénawl Mettraux dhe Fergal Gaynor.

Aktakuza fillestare kundër katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për “krime kundër njerëzimit”: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Sipas Aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999, në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe në Cahan të Shqipërisë.

Gjykimi filloi më 03.04.2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave – ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 e 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë, në këtë rast.

Raportimet e tjera të KALLXO.com, lidhur me këtë rast, mund t’i lexoni në këtë LINK.