Belgjika u përfshi nga një grevë kombëtare të hënën, pasi punonjësit e trafikut ajror dhe hekurudhor u ngritën kundër planeve për reforma të pensioneve.
Rreth 40% e fluturimeve për dhe nga Aeroporti i Brukselit – më i madhi i Belgjikës – u anuluan, pasi bartësit e bagazheve, stafi i sigurisë dhe personeli tjetër ndërprenë punën.
Kompania ajrore “Brussels Airlines” tha të shtunën se është detyruar të anulojë paraprakisht gjysmën e fluturimeve të saj brenda Evropës, për t’i mbajtur në funksion linjat e largëta.
Operatori i aeroportit “Charleroi” – që është një ndër qendrat kryesore evropiane për linjën ajrore me kosto të ulët, Ryanair – tha se priten vonesa të konsiderueshme dhe anulime të mundshme.
Transporti hekurudhor pësoi gjithashtu. Dy në tre trena që lidhin qytetet e mëdha nuk funksionojnë.
Shërbimi i Trenave u ndërpre edhe në Bruksel.
Greva mbarëkombëtare u thirr nga tri Sindikatat kryesore të Belgjikës për të protestuar kundër reformave në pensione, që mund të miratohen nga Qeveria e ardhshme.
Partitë belge janë ende në bisedime për të formuar një Administratë të re federale, pas Zgjedhjeve që u mbajtën në qershor.
Pesë partitë që po negociojnë për të arritur një Marrëveshje koalicioni, planifikojnë ta rrisin moshën e pensionit për punonjësit e hekurudhave dhe të tjerët, të cilët tani lejohen të dalin në pension të parakohshëm – sipas sindikatës CSC.
Sindikatat planifikojnë të mbajnë edhe një demonstratë në Bruksel, gjatë ditës. /REL