Ballina

Situata me zjarret, zhvillimet në Los Anxhelos

Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga zjarret që e kanë shkatërruar zonën e Los Anxhelosit, është rritur në 16, ndërkohë që ekipet e zjarrfikësve po luftojnë për ta parandaluar përhapjen e zjarreve para se erërat e fuqishme të rikthehen.

Zyra e Shërbimeve të Emergjencave të Kalifornisë (Cal OES) thotë se 150 mijë njerëz janë tani nën urdhra evakuimi në qarkun e Los Anxhelosit  në zonat e prekura nga zjarret Palisades dhe Eaton.

BBC raporton se më shumë se 700 njerëz janë strehuar në nëntë strehimore në qark, jashtë vendit, sipas një deklaratë të zëdhënësit të Cal OES, Michael Traum.

Një urdhër evakuimi do të thotë se ekziston një kërcënim i menjëhershëm për jetën dhe të prekurit duhet të largohen menjëherë, thotë organizata.

Paralajmërimet e evakuimit, të cilat ndryshojnë nga urdhrat e evakuimit, janë gjithashtu në fuqi si për zjarrin Palisades ashtu edhe për zjarrin Eaton. Një paralajmërim evakuimi do të thotë se ka një rrezik të afërt për jetën ose pronën dhe këshilla është të mblidhni gjërat tuaja dhe të përgatiteni për të evakuuar, raporton BBC.

Cal OES konfirmon se urdhrat e evakuimit dhe paralajmërimet e dhëna për shkak të zjarreve Kenneth dhe Hurst janë hequr.

BBC ka raportuar se zjarrfikësit po përgatiten për një tjetër raund të erërave të Santa Ana në Los Anxhelos pasi katër zjarre po digjen në të gjithë qarkun.

Erërat e Santa Ana mund të sjellin ndikime shkatërruese në jetën e përditshme në Los Anxhelos dhe pjesë të Kalifornisë jugore, kur së bashku me zjarret e egra, ato mund të përshkallëzojnë situatën me shpejtësi, duke bërë që zjarret të përhapen me shpejtësi të madhe.

BBC raporton se një urdhër ekzekutiv i krijuar për të përshpejtuar rindërtimin e shtëpive të humbura në LA është miratuar nga Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom.

Ekzistojnë gjithashtu ‘mbrojtje’ kundër rritjes së çmimeve për shërbimet që lidhen me zjarret si materialet e ndërtimit dhe shërbimet e magazinimit./BBC

Përgatiti: Mediana Halili – KALLXO.com