Ballina

Lufta kundër korrupsionit, LDK: Albin Kurti duhet ta pyes Martin Berishajn ku i ka të hollat?

Kandidatja për deputete nga LDK-ja, Doarsa Kica- Xhelili, në emisionin “Debat Përnime” ka kritikuar Qeverinë Kurti për “mungesë serioziteti” në luftimin e korrupsionit.

Sipas saj, qeveria aktuale i ka pasë të gjitha mundësit ligjore për luftimin e korrupsionit, mirëpo ka synuar “vetëm ushtrimin e kontrollit në sistemin e drejtësisë”.

Ajo ka deklaruar se sikur të ishte serioze Qeveria aktuale në luftimin e korrupsionit, do të merrej me rastin e ambasadorit Martin Berishaj.

“Po ta kishte seriozisht [Albin Kurti] kthimin e parasë publike, duhet me pyet ku i ka Martin Berishaj të hollat e veta. Kthej njëherë paratë e tij pa Byro fare, më pas flasim për Byronë”- tha Kica-Xhelili.

Ndër tjera, ajo tha se pushteti ka pasur mundësinë e artë ta luftoj korrupsionin duke filluar nga hetimi i njerëzve të tyre, por se nuk e ka bërë një gjë të tillë.

“E ka pasë mundësinë e artë në duart e veta duke filluar nga njerëzit e vet, duke filluar nga largimi i mentalitetit që personi i dyshuar për korrupsion duhet të mbrohet në mënyrë publike në foltoren e Kuvendit të Kosovës”- tha ajo.

Ambasadori Martin Berishaj ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale me 29.03.2024 nën dyshimin për veprat penale “Shpëlarja e parave”, “Shmangia nga tatimi” dhe “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

“DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para zgjedhjeve parlamentare të 09.02.2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometri”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime”, prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim me partia në pushtet, partitë tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetareve të Kallxo-it.

“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin”, ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të debatit të parë zgjedhor në kuadër të “Debat Përnime”.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

https://kallxo.com/gjate/ldk-premton-ne-debat-pernime-reforma-ne-drejtesi-dhe-investime-kapitale-miliardeshe/