Në emisionin “Debat Përnime”, pjesa më e madhe e diskutimit rreth programit zgjedhor të Lidhjes Demokratike (LDK) i është kushtuar çështjeve që lidhen me ndryshimet që duhen bërë në sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Kandidatët për deputetë nga kjo parti kritikuan qasjen e kryeministrit aktual Albin Kurti ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Përfshirja e politikës në çështjen e emërimit të Kryeprokurorit, nga Doarsa Kica-Xhelili, është konsideruar si shumë problematike.
“Fakti që dikush beson që politika duhet me u përfshi dhe me u përzi në çështjen e emërimit të kryeprokurorit, [pikërisht për këtë] politika duhet me i mbajtë duart larg Kryeprokurorisë, sepse pikërisht personat që kanë ardhur në krye të atij institucioni janë persona që nesër kanë me na hetu neve- potencialisht”- ka thënë Kica-Xhelili.
Ndërsa, kandidati tjetër i LDK-së, Shkëmb Manaj, ka përkujtuar fjalët e kryeministrit Kurti i cili thoshte se me ardhjen e LVV-së në pushtet: “Shkon Lumezi e vjen Elezi”. Por, sipas Manajt, nuk ka ndodhur asnjëra prej këtyre.
Për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit, ai i sheh përgjegjës Këshillin Prokurorial dhe Presidenten e Kosovës.
“Edhe Këshilli Prokurorial, edhe Presidentja e Kosovës është dashtë me i jep epilog këtij procesi të përzgjedhjes. Qeverisja aktuale dikur thoshte që do të shkoj Lumezi e do të vjen Elezi, Lumezi nuk ka shkuar dhe nuk ka ardhur Elezi ende”- ka theksuar Manaj.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte deklaruar se kryeprokurori Blerim Isufaj, e di se kush nga prokurorët në të kaluarën ka shkuar në zyret e ish-kryeministrave.
Deklarata e ministres Haxhiu pasoi pas debatit rreth ftesës së Prokurorisë Speciale ndaj kryeministrit Albin Kurti, për t’u intervistuar si dëshmitar në rastin e rezervave shtetërore dhe këmbënguljes së tij për të mos u paraqitur për intervistim në zyret e Prokurorisë.
“Blerim Isufaj e di shumë mirë kush nga prokurorët kanë shkuar në zyret e ish-kryeministrave, por nuk flet për këtë gjë. Prandaj, ju lutem si gazetarë që të insistoni që përgjigjet e tilla t’i merrni nga kryeprokurori Isufaj” – tha Haxhiu para gazetarëve më 10.01.2025.
Së fundmi, kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar se nuk i është përgjigjur thirrjes së Prokurorisë Speciale për intervisim si dëshmitar në rastin e rezervave shtetërore, pasi sipas tij, qëllimi është që ai të bëhet lajm ndërkombëtar duke hyrë në objektin e Prokurorisë. Për këtë kryeministri e akuzoi kryeprokurorin Isufaj, të cilin e quajti “regjisor” të asaj “pamjeje të mundshme”.
Kurse, kryeprokurori Isufaj, duke mos dashur të japë përgjigje të drejtpërdrejtë rreth këtij pretendimi të kryeministrit Kurti, në një konferencë për media me 30.12.2024, tha se “të gjithë janë të barabarë para ligjit” dhe se “nuk i interesojnë deklarimet e tilla”.
“Pikërisht ky prokurori (Blerim) Isufaj, ky është regjisori i një pamjeje kur unë hyj në Prokurorinë e Shtetit dhe prodhohet një lajm ndërkombëtar që kryeministri hyn në Prokurori të intervistohet për një rast të korrupsionit. Aty nuk thuhet që si dëshmitar. Ky është qëllimi” – tha Kurti në një emision në Kohavision më 29.12.2024.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim:
https://kallxo.com/gjate/ldk-premton-ne-debat-pernime-reforma-ne-drejtesi-dhe-investime-kapitale-miliardeshe/