Ballina

Suspendimi i hetuesit të Task-Forcës që hetoi rastin e ‘rezervave shtetërore’ e Nagip Krasniqin, paralajmërohet kallëzim penal 

Idriz Gashi është njëri nga tre pjesëtarët e Policisë së Kosovës, i cili është suspenduar gjatë javës së dytë të janarit, nën pretendimet se mori pjesë në aktivitete politike.

Gashi është pjesë e Task-Forcës që hetoi rezervat shtetërore, si dhe ish-Kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi – për këtë të fundit tashmë ekziston edhe një Aktakuzë nga Prokuroria Speciale.

Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, Idriz Gashi është suspenduar nën pretendimin se mori pjesë në aktivitete politike, gjatë janarit në krah të Partisë Demokratike të Kosovës.

Për Gashin u publikuan edhe disa fotografi, derisa pretendohej se ishte pjesë e fushatës, që ka nisur në Kosovë për Zgjedhjet nacionale që do të mbahen më 9 shkurt.

Por avokati i hetuesit Gashi, Arianit Koci ka paralajmëruar një kallëzim penal, duke thënë se fotografia e publikuar është e manipuluar.

“Sa i përket pretendimeve për pjesëmarrjen e tij në një tubim politik, dua të sqaroj se fotoja e publikuar është falsifikuar. Hetuesi policor Idriz Gashi nuk ka qenë pjesë e tubimit të një partie politike në fshatin Rezallë. Për këtë, klienti im ka prova materiale. Prandaj, jam autorizuar të përpiloj dhe të dorëzoj kallëzim penal për falsifikimin: manipulimin e fotos.” – ka shkruar avokati Koci në rrjetin social të tij zyrtar në Facebook, më 08.01.2025.

Sipas Kocit, rasti i klientit të tij ‘duket si një përpjekje e hapur për delegjitimimin e institucioneve shtetërore’.

KALLXO.com ka tentuar që të marrë një sqarim në lidhje me këtë rast, edhe nga vetë hetuesi policor, Idriz Gashi.

Ai nuk pranoi që të japë versionin e tij për atë se për çka u suspendua dhe pjesëmarrjen e tij për të cilën u raportua se ishte në një aktivitet politik.

“Unë nuk mund të flas në lidhje me këtë çështje, sepse jam ende në Policinë e Kosovës, por edhe tashmë avokati ka nisur procedurat ligjore.” – tha Gashi shkurt përmes telefonit.

Në anën tjetër KALLXO.com ka kërkuar një përgjigje për gjithë këtë ngjarje edhe nga drejtori i medias online ‘KosovaNews’, Jeton Sopa, i cili publikoi artikullin me pretendimet se Gashi ishte pjesë e aktiviteteve politike.

Sipas Sopës, pretendimet e avokatit Koci për gjoja falsifikim të fotografisë për Idriz Gashin nuk qëndrojnë.

“Fotografia në fjalë është autentike dhe është nxjerrë nga një print-screen i një video live në Facebook, të aktivistit të PDK-së L.D. Në këtë foto shihet hetuesi Idriz Gashi, i shoqëruar me simpatizant të PDK-së, videoja live është në datën, kohën dhe vendin e njëjtë ku e ka mbajt tubimin PDK-ja. Mirëpo, personi më vonë e ka fshirë videon nga Facebook.” – ka thënë Sopa për KALLXO.com.

Sipas tij pas publikimit të lajmit, vetë personi që ka publikuar videon e ka fshirë të njëjtën më pas.

“Si përfundim me përgjegjësi të plotë morale dhe penale mund të konstatoj se fotografia e rreshterit Idriz Gashi nuk është e falsifikuar.” – përfundoi Sopa.

Përveç hetuesit Gashi, edhe dy pjesëtarë të tjerë të Policisë së Kosovës janë suspenduar këtë javë.

Koloneli i Policisë së Kosovës, Nexhmi Krasniqi është njëri prej zyrtarëve të Policisë, për të cilin Inspektoriati i Policisë ka rekomanduar suspendimin nga detyra, për shkak se i njëjti mori pjesë në një aktivitet politik.

Ai u pa në një takim të thirrur nga kandidatë për deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës. Fotografitë e shpërndara nga kandidati i PDK-së për deputet, Fatbardh Rexha janë shpërndarë në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, më 06.01.2025.

Me të marrë informacionin, Inspektorati Policor i Kosovës kishte nisur një hetim, me ç’rast edhe ka kërkuar suspendimin nga detyra të Kolonel Krasniqit.

Për këtë rast KALLXO.com ka telefonuar Krasniqin për ta pyetur rreth pjesëmarrjes së tij në aktivitetin politik, por i njëjti nuk pranoi të sqarohej.

“Kush ka thënë që s’kanë të drejtë të marrë pjesë Policia? Janë Rregulloret, po lexoje Ligjin për Policinë dhe gjeje Nenin aty dhe mirupafshim.” – deklaroi Nexhmi Krasniqi për KALLXO.com.

Krasniqi mban pozitën e Drejtorit në Drejtorinë Rajonale për kufi – Gjakovë.

Kallxo.com ka provuar të kontaktojë edhe me Isak Ejupin, Major në Policinë e Kosovës, për të cilin Inspektoriati i Policisë inicoi procedurë disiplinore ndaj tij, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në telefonin e tij.

Ndaj majorit Ejupi IPK inicioi procedurë disiplinore, pasi i njëjti kishte marrë pjesë në një tubim politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe i njëjti shihet në një video të shpërndarë nga LDK.

Inspektorati Policor i Kosovës, Departamenti i Hetimeve njoftoi më 08.01.2025, se pas publikimit të shkrimeve në medie për pjesëmarrje të zyrtarëve policorë në tubime të natyrës politike, sipas detyrës zyrtare ka iniciuar procedura disiplinore për dy raste të ndara, në të cilat janë përfshirë një gradë e Kolonelit policor dhe një Major.

IPK në njërin rast ka rekomanduar suspendimin e Kolonelit policor, me dyshimin për pjesëmarrje në tubim të natyrës politike, kurse rastin e Majorit (me të njëjtat dyshime) e ka përcjellë për trajtim disiplinor në Policinë e Kosovës.

“Duke u bazuar në rëndësinë e jashtëzakonshme të një institucioni policor të pavarur dhe të pandikuar politikisht, IPK bën thirrje publike për të gjithë zyrtarët policorë, që të qëndrojnë të paanshëm dhe larg aktiviteteve politike apo tubimeve parazgjedhore.” – thuhet në njoftimin e IPK-së.