Ballina

Aktakuzë ndaj dy personave në Prizren për korrupsion në një Konkurs punësimi

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë, ndaj dy personave të dyshuar për korrupsion. 

Prokuroria njofton “i pandehuri I. B. nga data 03.10.2022 deri më 05.01.2023 në Prizren, në mënyrë të drejtëpërdrejtë ka pranuar premtimin për një përfitim për vete, me pretendimin se ai është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimarrjen e personit zyrtar”. 

Në këtë mënyrë, thuhet se I. B. ka pranuar se do të ushtrojë ndikim të padrejtë te bashkëshortja e tij M. P., e cila, sipas Prokurorisë, ishte anëtare e Komisionit në një Konkurs të shpallur nga Komuna e Prizrenit-Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, të datës 03.10.2022, për vendin e punës Sekretare në njërin prej Gjimnazeve dhe në njërën prej Shkollave fillore në Komunën e Prizrenit. 

Prokuroria sqaron se në këtë Konkurs kishte aplikuar E. P. S. dhe i dërgon pyetje nga testi me shkrim, gjithashtu i jep informacion për poentimin maksimal prej 100 pikësh, të dhënë nga bashkëshortja e tij M. P., si anëtare e Komisionit.

“Të gjitha këto dhe të tjera komunikime rezultuan nga komunikimet që i ka zhvilluar i pandehuri I. B., me të pandehurin Sh. P., në aplikacionet e rrjeteve sociale “Viber” dhe “Whats App.” – thuhet në komunikatën  e Prokurorisë, të lëshuar sot, më 10.01.2025. 

Gjithmonë, sipas Prokurorisë, i pandehuri tjetër Sh. P., në mënyrë të drejtëpërdrejtë i ka premtuar përfitim të pandehurit tjetër I. B., në mënyrë që ky të ushtrojë ndikim të papërshtatshëm mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, duke i premtuar se do t’ia kryejë një punë këtij të fundit, për ndikim që I. B. do ta bëjë te bashkëshortja e tij M. P., si anëtare e atij Komisioni. 

“I pandehuri, I. B. ia dërgon në telefon të pandehurit Sh. P. kopjen e ftesës, me të cilën është ftuar ai si i pandehur lidhur me një çështje penale, që zhvillohej pranë Gjykatës Themelore në Prizren.” – njofton Porkuroria në Prizren.

Tutje, në komunikatën për media, thuhet se me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, dy të pandehurit, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale për të cilat akuzohen.