Presidentja Vjosa Osmani ka takuar sot, 09.01.2025, të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Presidenca ka njoftuar se gjatë këtij takimi u diskutuan zhvillimet e fundit në vend dhe pritshmëritë për bashkëpunimin bilateral ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së gjatë vitit 2025.
“Në prag të vizitës së zëvendës Sekretarit të Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma, u diskutua për qëllimin e kësaj vizite, si dhe u fol për disa nga temat kryesore që do të trajtohen. Gjatë bisedës, presidentja Osmani dhe Prattipati theksuan rëndësinë e avancimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme”- thuhet në njoftim.
Po sipas njoftimit, Osmani potencoi rëndësinë e vazhdimit të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së në adresimin e çështjeve të interesit të përbashkët.