Shkodran Humolli vazhdon të jetë në arrati si i dyshuar kryesor për vrasjen në tentativë, që ndodhi më 03.01.2025 në Lagjen “Arbëria” në Prishtinë. Por, ata që kanë probleme me ligjin, kanë edhe shoqëri me zyrtarë policorë.
Kjo vërehet edhe në një rast të cilin e ka hulumtuar KALLXO.com. Humolli tash e gjashtë ditë vazhdon të jetë në kërkim nga Policia si i dyshuar për “plagosjen e një personi”, më 03.01.2025, në lagjen “Arbëria” në Kryeqytet.
Në një fotografi që ka siguruar KALLXO.com, Shkodran Humolli shihet me tre policë: Arben Dacin, Qaush Matajn dhe Blerim Nikçin.
Se janë miq me Humollin dhe njihen, këtë e ka konfirmuar edhe vetë Arben Daci në një bisedë me KALLXO.com. Ai, madje, pati shpjeguar se si ranë në kontakt dhe u takuan me një tjetër person, që për disa muaj ishte në kërkim të Policisë së Kosovës: rep-këngëtarin Rigels Rajku, i njohur si Noizy.
Madje Daci i ishte përgjigjur edhe ftesës që të shkonte në diskotekën ku do të performonte Noizy, pasi ishte thirrur si mysafir nga Shkodran Humolli.
“Kemi qenë me dy kolegë që dalim edhe jashtë orarit të punës bashkë. Kemi shku me i ble disa gjëra, pajisje policore dhe rastësisht e kemi një shok të Noizyt në Parking. Ai na ka njoftë neve, na ka ftu me pi kafe, i kemi thanë ‘Po’. Ka pasur koncert Noizy atë natë. Ka ardhur me pi kafe, 10-15 minuta kemi qëndru vetëm për kafe. Ky shoku i Noizyt, Shkodrani që e ka edhe një diskotekë na ka pa dhe na ka ftu. Na ka thirrë atë natë mysafirë dhe kemi shku në muzikë me dy shokë të tjerë.” – ka thënë Arben Daci për KALLXO.com.
Në anën tjetër Policia e Kosovës ndonëse e ka vendosur në Listën e personave të kërkuar, deri më tani nuk ka publikuar asnjë informacion apo kërkesë për qytetarët: që në rast se dinë vendndodhjen e të dyshuarit të lajmërojnë Policinë.
Ky format përdoret shpeshherë nga Policia e Kosovës, në disa raste edhe për vepra të lehta penale.
Shkodran Humolli ka gjashtë ditë që është në arrati dhe i njëjti po kërkohet nga Policia.
Ndonëse ende nuk janë zbardhur detaje në lidhje me shkakun e plagosjes, deri më tani, sipas burimeve të KALLXO.com, i plagosuri vazhdon të jetë në gjendje kritike.
Në anën tjetër policët kanë kryer edhe një bastisje në natën kur ndodhi ngjarja në shtëpinë e të dyshuarit, por nuk kanë hasur në personin e dyshuar, si dhe nuk kanë gjetur diçka të dyshimtë.
Në tavolinën ku shihen policët, i pranishëm është edhe një ish i kërkuar nga organet e rendit për një rrahje në një diskotekë në Pejë: Rigels Rajkun i njohur si Noizy.
Për këtë KALLXO.com raportoi ekskluzivisht, më 09.01.2025.
https://kallxo.com/gjate/policet-ne-shoqerine-e-noizyt-i-cili-per-disa-muaj-kerkohej-nga-policia-e-kosoves/
Por si u bën bashkë policët me tashmë të kërkuarin aktual të Policisë së Kosovës për “vrasje në tentativë”.
Sipas policit Arben Daci, më 27.11.2024, bashkë me dy policët e tjerë Nikqin e Matajn ishin në Prishtinë dhe kishin takuar Shkodran Humollin, të cilin e kishin njoftuar në ditën kur ishte mbajtur seanca për Noizyn.
Tutje, i njëjti u kishte kërkuar që të pinin një kafe bashkë dhe më vonë grupit i ishte bashkangjitur edhe personi tjetër i njohur për Drejtësinë në Kosovë: Rigels Rajku i njohur si Noizy.
KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Policisë së Kosovës se pse nuk është publikuar zyrtarisht edhe fotografia me të dhënat e Shkodran Humollit, i cili gjendet në arrati.
Deri në publikimin e këtij shkrimi Policia e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje.