Ballina

Reuters: Pse Trumpi e kërkon Grenlandën dhe a mund ta marrë?

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump thotë se dëshiron që Grenlandën ta bëjë pjesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e fuqisë ushtarake e ekonomike që Danimarka t’ia dorëzojë ishullin e rëndësishëm strategjik dhe të pasur me minerale.

“Grenlanda është një vend i mrekullueshëm dhe njerëzit do të përfitojnë jashtëzakonisht shumë nëse- dhe kur të bëhet pjesë e kombit tonë.” – ka shkruar Trumpi të hënën në postimin e tij në “Truth Social”. “Kjo është një ujdi që duhet të bëhet.” – ka deklaruar Trumpi të martën në kohën kur i biri i tij, Donald Trump Jr po vizitonte privatisht Grenlandën.

Trumpi e ka shprehur për herë të parë interesimin për blerjen e ishullit të akullt me 57 mijë banorë nga Danimarka në vitin 2019, por kërkesa i ishte refuzuar rreptas – kujton Agjencia e lajmeve Reuters, në një analizë të pastajme që u bën zhvillimeve dhe arsyeve të lidhura me diskutimet e nxitura së fundmi nga Trumpi dy javë para marrjes së pushtetit në Shtëpinë e Bardhë.

Pse tani Trumpi e kërkon Grenlandën?

Grenlanda, pjesë e NATO-s nëpërmjet anëtarësimit të Danimarkës, ka rëndësi strategjike për ushtrinë amerikane dhe sistemin e saj raketor balistik të paralajmërimit të hershëm, meqë rruga më e shkurtër nga Europa drejt Amerikës Veriore zgjatet nëpërmjet ishullit arktik.

Ushtria amerikane ka prani të përhershme në bazën ajrore Pituffik, në veriperëndim të Grenlandës.

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur interesim për zgjerimin e pranisë së tyre ushtarake, përfshirë vendosjen e radarëve atje për të monitoruar ujërat ndërmjet ishullit, Islandës dhe Britanisë, që janë portë për anijet e flotës dhe nëndetëset bërthamore ruse.

Grenlanda gjeografikisht është pjesë e kontinentit të Amerikës Veriore dhe është vitale për Shtetet e Bashkuara për të parandaluar çfarëdo fuqish të tjera të mëdha për të shkelur në ishull – ka thënë Ulrik Pram Gad, hulumtues i lartë dhe ekspert për Grenlandën në Institutin Danez për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Ishulli, kryeqyteti i të cilit Nuuk është më afër New Yorkut se kryeqytetit danez, Kopenhagë ka pasuri minerare, naftë dhe gaz natyror, por zhvillimi i atjeshëm ka qenë i avashtë.

Një studim i kryer më 2023 ka treguar se 25 prej 34 mineraleve që konsiderohen “materiale të papërpunuara kritike” prej Komisionit Europian janë gjetur në Grenlandë. Në mesin e tyre përfshihen sasi të mëdha të materialeve të përdorura në bateri, si grafit dhe litium, si dhe të ashtuquajtura elemente të rralla tokësore në makina elektrike dhe turbina të erës.

Grenlanda ka ndaluar ekstraktimin e naftës dhe gazit natyror për arsye mjedisore dhe zhvillimi i sektorit minerar është përballur me ndërprerje dhe me kundërshtim të banorëve indigjenë.

Kjo e ka bërë ekonominë e Grenlandës të varur prej peshkatarisë, që përbën 95% të eksporteve dhe subvencionet e përvitshme nga Danimarka, që mbulon pothuajse gjysmën e buxhetit publik.

Në përgjithësi, Danimarka shpenzon pak më pak se një miliardë dollarë amerikanë në vit për Grenlandën.

E kujt është Grenlanda dhe a mund ta blejë Trumpi?

Grenlanda ka qenë pjesë e Danimarkës qe më shumë se 600 vjet, por tani kontrollon shumicën e punëve të saj të brendshme, si një territor gjysmë-sovran nën mbretërinë daneze.

Ajo u bë një territor zyrtar i Danimarkës në 1953 dhe i nënshtrohet Kushtetutës daneze, që do të thotë se çdo ndryshim në statusin e tij ligjor do të kërkonte ndryshim kushtetues në Danimarkë.

Në vitin 2009, ishullit iu dha një autonomi e gjerë vetëqeverisëse – duke përfshirë të drejtën për të shpallur pavarësinë nga Danimarka përmes referendumit eventual.

Kryeministri i Grenlandës, Mute Egede, i cili ka shtuar përpjekjet për pavarësi, ka thënë vazhdimisht se ishulli nuk është në shitje dhe se i takon popullit grenlandez të vendosë për të ardhmen e tij.

Egede ka zhvilluar bisedime të mërkurën në Kopenhagë me mbretin Frederik, që ka të ngjarë të dominohen nga komentet e fundit të Trumpit.

Në vitin 2019, si Grenlanda ashtu edhe Danimarka, refuzuan ofertën e Trumpit për ta blerë ishullin.

Kur Grenlanda ishte ende koloni, SHBA-ja nën presidentin e atëhershëm, Harry Truman u përpoq të blinte ishullin si aset strategjik gjatë Luftës së Ftohtë për 100 milionë dollarë në vlerë ari, por Kopenhaga nuk e pranoi ofertën.

Po nëse Grenlanda pavarësohet?

Nëse Grenlanda pavarësohet, mund të zgjedhë t’i bashkohet Shteteve të Bashkuara.

Ndërsa shumica e grenlandezëve duan pavarësinë, pak prej tyre e shohin pavarësinë e plotë si të zbatueshme duke pasur parasysh varësinë e tyre ekonomike nga Danimarka, e cila është pjesë e Bashkimit Europian të pasur.

Një opsion mund të jetë krijimi i një pakti të ashtuquajtur “shoqërim i lirë” me Shtetet e Bashkuara, i ngjashëm me statusin e kombeve ishullore të Paqësorit, Ishujt Marshall, Mikronezia dhe Palau.

“Grenlanda po flet për t’u bërë e pavarur nga Danimarka, por asnjë grenlandez nuk dëshiron të kalojë në një zot të ri kolonial.” – ka deklaruar Ulrik Pram Gad, studiues dhe ekspert i lartë për Grenlandën.

Ai e sheh të pamundur që Grenlanda të votojë për pavarësinë pa e siguruar mirëqenien e popullsisë së saj.

Çfarë do Grenlanda?

Shumica e banorëve të Grenlandës mbështesin pavarësinë, por janë të ndarë në lidhje me kohën dhe ndikimin e mundshëm në standardet e jetesës.

Që nga viti 2019, politikanët grenlandezë kanë thënë vazhdimisht se janë të interesuar për forcimin e bashkëpunimit dhe tregtisë me Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, Aaja Chemnitz, deputete grenlandeze e parlamentit danez, ka theksuar se ideja për marrjen e kontrollit nga SHBA-ja duhet të refuzohet vendosmërisht. “Nuk dua të jem një peng në ëndrrat e nxehta të Trump për të zgjeruar perandorinë e tij për të përfshirë vendin tonë.” – ka shkruar ajo.

Çfarë thotë Danimarka?

Interesimi i ripërtërirë vjen në kohën e tensioneve të ngritura ndërmjet Grenlandës dhe Danimarkës, pas raporteve për keqtrajtim historik prej ish-sundueses koloniale.

Oferta e vitit 2019 e Trumpit për ta blerë ishullin ishte kundërshtuar forcërisht nga Danimarka, aleate e ngushtë e SHBA-së në NATO dhe ishte hedhur poshtë si “absurde” nga kryeministrja Mette Frederiksen.

Kur Frederiksen u pyet për interesimin e rishprehur të martën nga Trump deklaroi: “Na duhet bashkëpunimi shumë i ngushtë me amerikanët”.

Ajo do të shtonte: “Në anën tjetër, do të dëshiroja të inkurajoja këdo që ta respektojnë se grenlandezët janë një popull, është vendi i tyre dhe vetëm Grenlanda mund ta përcaktojë të ardhmen e Grenlandës”.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com