Grenlanda mund të bëhet shtet i pavarur nëse dëshirojnë banorët e saj, por jo shtet amerikan – ka thënë të mërkurën, më 08.01.2025, ministri i Jashtëm danez pasi presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump refuzoi të përjashtonte mundësinë e përdorimit të forcës për marrjen e kontrollit të ishullit arktik – ka raportuar Reuters.
Lideri i Grenlandës ka zhvilluar bisedime të mërkurën me mbretin danez në Kopenhagë, një ditë pas deklaratave të Trumpit që shkaktuan shqetësim – duke e kthyer çështjen e ishullit danez në kryelajm të ballinave anembanë botës.
Trumpi, i cili e merr detyrën më 20 janar, ka thënë të martën se nuk do ta përjashtonte përdorimin e forcës ushtarake ose ekonomike për ta bërë Grenlandën pjesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Po në të njëjtën ditë i biri i madh i Trumpit, Donald Trump Jr vizitoi Grenlandën me një aeroplan privat.
Grenlanda, ishulli më i madh i botës, ka qenë pjesë e Danimarkës qe më shumë se 600 vjet, megjithëse 57 mijë banorët e tyre qeverisin shumicën e punëve të tyre të brendshme. Qeveria ishullore e udhëhequr nga kryeministri Mute Egede synon pavarësinë eventuale.
“Ne e pranojmë plotësisht se Grenlanda ka ambiciet e veta. Nëse ato materializohen, Grenlanda do të bëhet e pavarur, megjithëse zor se me ambicien për t’u bërë një shtet federal në Shtetet e Bashkuara.” – ka deklaruar ministri i Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen.
Ai ka deklaruar para gazetarëve se shqetësimet e ngritura nga SHBA-ja për sigurinë në Arktik janë legjitime pas rritjes së aktivitetit rus dhe kinez në rajon.
“Nuk mendoj se ne jemi në një krizë të politikës së jashtme.” – ka thënë ai. “Ne jemi të hapur për Dialog me amerikanët, sesi ne mund të bashkëpunojmë edhe më ngshtësisht sesa tani, që të sigurohemi që të përmbushen ambiciet amerikane.”
Megjithatë, anipse vetë Danimarka ka hedhur poshtë seriozitetin e kërcënimit të Trumpit ndaj territorit të saj, kthimi i Presidentit theksoi haptazi ambicien për zgjerimin e kufijve amerikan – duke ngjallur pakënaqësi në mesin e aleatëve europianë më pak se dy javë para se të marrë detyrën.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot ka deklaruar për Radiostacionin shtetëror francez se nuk ka dyshim se “Bashkimi Europian nuk do të lejojë vendet e tjera të botës të sulmojnë kufijtë e tij sovranë, kushdo që janë ato [shtete].”
Barrot nuk beson se SHBA-ja do ta pushtojë ishullin e madh arktik, por ka theksuar se BE-ja nuk do të lejojë që t’i cenohen kufijtë.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com