Dy studentë të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës janë ankuar për të dytën herë në Ministri të Arsimit, pasi pretendojnë se e meritojnë bursën elitare, por dy herë nuk u zgjodhën përfitues të saj.
Herën e parë, dy studentët u ankuan në një grup me 18 studentë tjerë të Mjekësisë në Ministri të Arsimit ndaj listës së parë të publikuar më 12.12.2024 të studentëve që u zgjodhën përfitues të bursës elitare për vitin akademik 2024/2025.
Këta dy studentë bashkë me 14 studentë tjerë të drejtimit “Mjekësi e Përgjithshme” në Fakultetin e Mjekësisë në UP, raportuan në KALLXO.com më 24.12.2024 se i plotësojnë kriteret e Konkursit për ndarjen e bursave elitare nga Ministria e Arsimit për vitin akademik 2024/2025 të datës 15.11.2024.
Sipas tyre, ata u penalizuan nga Ministria e Arsimit me arsyetimin se i kanë 174 kredi, e në bazë të Konkursit u kërkohen t’i kenë 60 kredi për një vit akademik. Ata kanë të përfunduar vitin e tretë të studimeve bachelor dhe i bie që duhet t’i kenë 180 kredi.
Studentët thanë se nuk mund t’i kenë 180 kredi, pasi lënda “Mjekësi interne” është lëndë trisemestrale, që fillon në semestrin e gjashtë (semestri i dytë i vitit të tretë) dhe përfundon në semestrin e tetë (semestri i dytë i vitit të katërt). Këtë çështje e ka konfirmuar edhe sekretari i Fakultetit të Mjekësisë në UP, Visar Muqaj, përmes një sqarimi që i kishte dërguar Ministrisë së Arsimit.
Ndonëse KALLXO.com nuk mori përgjigje nga data 26.12.2024 se pse nuk u është ndarë bursa elitare këtyre studentëve, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci mori vendim që 16 prej atyre që u ankuan në grup, t’i gëzojë para Vitit të Ri duke i shpallur përfitues të bursës elitare më 30.12.2024.
Mirëpo, vendimi i Nagavcit e la jashtë studenten dhe studentin e Mjekësisë, të cilët më pas u ankuan ndaj këtij vendimi të hënën, më 06.01.2025. Kjo është hera e dytë që ata ankohen në Ministri të Arsimit.
“Vendimi i mësipërm vie si rezultat i ankesës së përbashkët të një grupi të studentëve të Mjekësisë të cilët ishin lënë jashtë listave të përfituesve të bursës edhe pas plotësimit të të gjitha kushteve të konkursit, pjesë e të cilës kam qenë edhe unë. Emri im prapë nuk figuron në listën e lartcekur (vendimin nr.01B-250) edhe pse kam dëshmuar plotësimin e të gjitha kushteve të konkursit”- kanë shkruar secili nga dy studentët e Mjekësisë në ankesat e tyre, më 06.01.2025.
Të dy studentët e Mjekësisë i kanë dëshmuar KALLXO.com përmes transkriptës së notave, vërtetimit studentor e dëshmisë se kanë aplikuar në konkurs, që i plotësojnë të gjitha kriteret tjera të konkursit – përveç se i kanë 174 kredi.
Në bazë të dokumenteve të studentëve, ata kanë notën mesatare prej 9.0 e tutje, nuk e kanë të përsëritur ndonjë vit të studimeve, i kanë të përfunduara të gjitha provimet e vitit paraprak me kohë, duke mos llogaritur lëndën “Mjekësia interne” dhe kanë aplikuar me kohë në Konkursin për bursa elitare të Ministrisë së Arsimit.
Këto edhe janë shumica e kritereve të Konkursit të Ministrisë së Arsimit të datës 15.11.2024 për ndarjen e bursave elitare për studentët e Universiteteve publike të programeve bachelor e master, në vitin akademik 2024/2025. Vlera e bursës elitare është 1000 euro.
Konkursi ka qenë i hapur nga data 15.11.2024 deri më 30.11.2024.
KALLXO.com e ka pyetur Ministrinë e Arsimit të hënën, më 06.01.2025, se cila është arsyeja që dy studentët u lanë jashtë listës së dytë të përfituesve të bursës elitare, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij lajmi.
Problemi i studentëve të Mjekësisë në UP me numrin e kredive
Katër ditë pasi u publikuan përfituesit e bursës elitare të Ministrisë së Arsimit, 16 studentët e Mjekësisë dhe 4 të tjerë kanë protokoluar në Ministri të Arsimit një ankesë grupore, në të cilën kanë sqaruar se pse nuk mund t’i kenë 180 kredi dhe se i kanë përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara.
Madje, studentët pretenduan në ankesë se ka studentë të mjekësisë, që i kanë 174 kredi dhe janë përfitues të bursës.
“Ne kërkojmë që rasti jonë të trajtohet në mënyrë të veçantë, sepse problemi me numrin e kredive nuk ka të bëjë me ndonjë gabim teknik nga ana jonë, si dhe të marrim bursën në të njëjtën kohë me të gjithë studentët e tjerë që kanë 174 ECTS [kredi] dhe që janë përfshirë në listën e publikuar nga MAShTI më datën 11/12/2024, Vendimi 01B-224”- thuhet në ankesën e studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, më 16.12.2024.
Ankesa është e nënshkruar dhe përmban emrat e të gjithë studentëve, së bashku me numrin e tyre identifikues në UP.
Në të njëjtën ditë, më 16.12.2024, MAShTI-t i është dërguar sqarimi i sekretarit të Fakultetit të Mjekësisë në UP, Visar Muqaj, të cilin e ka siguruar KALLXO.com. Në këtë sqarim, është shpjeguar numri i kredive për studentët e vitit të tretë dhe të katërt të Mjekësisë.
Edhe ky sqarim e pohoi atë që thanë 16 studentët e Mjekësisë, sa i përket kredive të tyre.
“Studentët e vitit të IV-të, drejtimi “Mjekësi e Përgjithshme”, nuk mund t’i kenë 180 ECTS, për shkak se me Planprogramin 2016 me të cilin janë duke i vijuar studimet, lënda “Mjekësi interne” dëgjohet në vitin e III-të (6 ECTS) dhe vitin e IV-të (6 ECTS), si dhe provimit i nënshtrohen në vitin e IV-të. Andaj, studentët që i kanë 29 provime dhe 174 ECTS kanë të përfunduar vitin e III-të”– ka sqaruar Vuqaj për MAShTI-n, më 16.12.2024.
“Studentët e vitit të V-të – drejtimi “Mjekësi e Përgjithshme” nuk mund t’i kenë 240 ECTS, për shkak se me Planprogramin 2016, me të cilin janë duke i vijuar studimet lënda “Kirurgji” dëgjohet në vitin e IV-të (6 ECTS) dhe vitin e V-të (4 ECTS), si dhe i nënshtrohen provimit në vitin e V-të. Andaj, studentët që i kanë 45 provime dhe 234 ECTS kanë të përfunduar vitin e IV-të”– ka shtuar Vuqaj.
Ai ka lënë edhe një njoftim në fund të sqarimit, duke thënë se ia ka bashkangjitur shkresës Planprogramin 2016 të Mjekësisë së Përgjithshme, të lëshuar nga Fakulteti i Mjekësisë.
Në mesin e 16 studentëve, njëri nga studentët i ka thënë KALLXO.com se gjatë aplikimit për bursë e ka ngarkuar ekstraktin e lindjes në vend të çertifikates së shtetësisë dhe se nuk e ka ngarkuar faqen e dytë të transkriptës së notave.
Megjithatë, studenti ka deklaruar se kur e ka shkruar ankesën i ka dorëzuar të gjitha dokumentet origjinale – duke e përfshirë edhe çertifikatën e shtetësisë. Ky është njëri nga studentët që figuron në Vendimin e Nagavcit, më 30.12.2024.
Studentja e Mjekësisë që e ktheu bursën elitare në janar 2024
Këtë vit, KALLXO.com ka raportuar në muajin janar dhe shkurt 2024, për një studente të Fakultetit të Mjekësisë në UP, F. Z., e cila dyshohej se nuk e kishte merituar bursën elitare të ndarë nga Ministria e Arsimit për vitin akademik 2023/2024.
F. Z. nuk i kishte përmbushur të gjitha kriteret për ta fituar bursën. Sipas një përgjigje të Komisionit të MASHTI-t, studentes i janë dashur edhe 35 kredi nga 120 sa do të duhej t’i kishte. Pra, F. Z. ka pasur provime të papërfunduara të vitit paraprak.
Pasi ky Komision e ka verifikuar se studentja nuk e ka merituar bursën, asaj i është dhënë një afat kohor për dorëzimin e bursës.
Në një bisedë për KALLXO.com, studentja e kishte pranuar se e ka kthyer bursën të martën, më 13.02.2023.