Ballina

Osmani nënshkruhet në Librin e Zisë për ish-presidentin Carter: Shembulli i tij le të vazhdojë të na udhëheqë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mё 06.01.2025, u nënshkrua në Librin e Zisë për ish presidentin Jimmy Carter, të hapur në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Prishtinë.

Ajo u ka shprehur ngushëllime familjes dhe popullit amerikan për ndarjen nga jeta të ish-presidentit duke shkruar ndër të tjera “shembulli i tij le të vazhdojë të na udhëheqë”.

Sipas Osmanit, angazhimi i përhershëm i Carter për paqen, të drejtat e njeriut dhe drejtësinë, frymëzoi breza liderësh në mbarë botën.

“Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Carter dhe popullit amerikan për ndarjen nga jeta të Presidentit Jimmy Carter. Angazhimi i përhershëm i Presidentit Carter për paqen, të drejtat e njeriut dhe drejtësinë, frymëzoi breza liderësh në mbarë botën. Përkushtimi i tij ndaj shërbimit na kujton të gjithëve se lidershipi i vërtetë nuk ka të bëjë me fuqinë, por me humanizmin, integritetin dhe mbrojtjen e kauzave”- ka shkruar Osmani.

Ndёrsa ka thёnё se Kosova gjithmonë do ta nderojë trashëgiminë e tij si një kampion për liri, integritet dhe dinjitet.

“Shembulli i tij le të vazhdojë të na udhëheqë të gjithëve dhe shembëlltyra e tij qoftë një bekim për të gjithë ata që luftojnë për një botë më të mirë dhe më të drejtë”- ka thёnё ajo.

Jimmy Carter ka vdekur në moshën 100 vjeçare, më 29.12.2024.

Carter jetoi më gjatë se çdo President tjetër në histori dhe festoi 100-vjetorin e lindjes në tetor 2024.

Demokrati shërbeu si President i SHBA-së nga viti 1977 deri në 1981 – periudhë e mbushur me kriza ekonomike e diplomatike.

Pas largimit nga Shtëpia e Bardhë me një nivel të ulët pëlqyeshmërie, reputacioni i tij u rikthye përmes punës humanitare, që i solli Çmimin Nobel për Paqe.