Ballina

“Hamasi” liston 34 pengjet që mund t’i lirojë me ujdinë e armëpushimit

Një zyrtar i lartë i “Hamasit” ka ndarë me BBC-në një listë prej 34 pengjesh që grupi palestinez thotë se ka gatishmëri që t’i lirojë në fazën e parë të marrëveshjes eventuale të armëpushimit me Izraelin – ka raportuar të hënën, më 06.01.2025, transmetuesi britanik, BBC.

Nuk është e qartë se sa prej pengjeve të listuara janë gjallë.

Në mesin e tyre janë dhjetë gra dhe njëmbëdhjetë pengje meshkuj, prej 50 deri në 85 vjeç, si dhe fëmijë, për të cilët “Hamasi” më parë kishte thënë se ishin vrarë në një sulm ajror izraelit.

Një numër pengjesh, për të cilët “Hamasi” thotë se janë të sëmurë, janë përfshirë gjithashtu në listë.

Raportet sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të drejtuar nga “Hamasi”, thonë se sulmet ajrore izraelite kanë lënë të vdekur më shumë se 100 persona në fundjavë.

Zyra e Kryeministrit izraelit ka mohuar Raportet se “Hamasi” i ka ofruar Izraelit një listë pengjesh.

“Lista e të rrëmbyerve e publikuar në media nuk i është dorëzuar Izraelit prej ‘Hamasit’, por së pari kishte kaluar prej Izraelit te ndërmjetësit në fillim të korrikut të vitit 2024.” – është thënë në njoftimin qeveritar izraelit.

“Deri sot, Izraeli nuk ka pranuar ndonjë konfirmim ose koment nga ‘Hamasi’, lidhur me statusin e të rrëmbyerve në listë”.

Vendimi i “Hamasit” për të publikuar listën me emrat e pengjeve do të shihet nga shumëkush si përpjekje për të rritur presionin publik ndaj Qeverisë izraelite.

Negociatat për armëpushim kanë rinisur në Doha në Katar gjatë fundjavës, por bisedimet duket se nuk kanë shënuar ndonjë përparim të theksuar.

Një zyrtar i “Hamasit” i ka thënë Reutersit se çfarëdo ujdie për rikthim të pengjeve Izraelit do të varej prej një marrëveshjeje që Izraeli të tërhiqet nga Gaza dhe që të ketë armëpushim të përhershëm ose përfundim të luftës.

Ushtria izraelite ka bërë të ditur të dielën se forcat e saj ajrore kanë sulmuar më shumë se 100 zona “terroriste” në mbarë Rripin e Gazës në fundjavë – duke vrarë shumë militantë të “Hamasit”.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com