Babë e bir në Istog janë përballur me organet e rendit, më 02.01.2025, pasi të njëjtit po dyshohen se kryen vepra penale: atë “dhunë në familje” dhe “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Policia ka njoftuar se është arrestuar një burrë, pasi i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike, si dhe e kishte kërcënuar me armë një grua, me të cilën bashkëjetonte prej disa ditësh.
Në anën tjetër, babai i të dyshuarit për “dhunë në familje” – sipas Policisë – dyshohet se në ndërrimin e motmoteve kishte gjuajtur me armë zjarri në ajër.
Pas marrjes së informacionit për “dhunë në familje” Policia kishte dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa kishte konfiskuar edhe armën që dyshohet se ishte përdorur edhe në ndërrimin e motmoteve.
Në këtë rast nuk ka pasur ndonjë person të lënduar, ndërsa viktima e dhunës në familje, sipas Raportit të Policisë, me dëshirën e saj, pasi dyshohet se ishte rrahur nga partneri, është kthyer te familja e saj.
Për ngjarjen është njoftuar edhe Prokurori kujdestar. Ndaj babait të të dyshuarit për “dhunë në familje” është iniciuar rasti për “përdorim i armës” dhe i njëjti pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërsa, Policia ka njoftuar se ndaj djalit është iniciuar rasti për “dhunë në familje” dhe i njëjti pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.