Lëvizja Vetëvendosje, më 02.01.2025, ka dorëzuar ankesë në PZAP kundër vendimit të KQZ-së për certifikimin e Listës Serbe, për zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt në Kosovë.
Kjo parti pretendon se “nxjerrja e vendimit në emër të KQZ-së, por pa miratim të KQZ-së” është sulmi i radhës ndaj rendit tonë ligjor për shkak të Listës Serbe.
“Secili vendim i KQZ-së duhet t’i nënshtrohet votimit nga anëtarët e KQZ-së. Ky vendim nuk është i KQZ-së, sepse nuk është votuar. Është i paligjshëm, sepse bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ndërsa Lista Serbe nuk është certifikuar në përputhje me Ligjin, por është kontrabanduar kundërligjshëm”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.
Për LVV-në, “Lista Serbe ka qenë dhe mbetet partia e kryeterroristit Radoiçiq. “Ajo [LS] dikur përdorej nga Radoiçiqi kundër shtetit të Kosovës, kurse tani po shërben si struktura që mbron dhe amniston terrorizmin”, thuhet në njoftimin e LVV-së.
“Nuk mund të lejohet që për t’i bërë vend në fletëvotim një strukture që e lufton shtetin e Kosovës dhe merr në mbrojtje terroristët, të shkelet kaq brutalisht Ligji për Zgjedhje dhe çdo praktikë e rregullt. Andaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes kësaj ankese synon ta prapësojë këtë vendim të paligjshëm, të mbrojë rendin ligjor dhe të pamundësojë certifikimin e Listës Serbe”, përfundon LVV.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në ditën e fundit të vitit 2024 ka certifikuar Listën Serbe për Zgjedhjet 2025.
Ky vendim është marrë pasi Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur poshtë si të palejuar Ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), kundër Vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), që e “urdhëronte” KQZ-në për ta certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në Zgjedhje.
“KQZ ka marrë vendim që ta certifikojë Listën Serbe. Vendimi i PZAP-së është i plotëfuqishëm. Konsideroj që kjo çështje është mbyllur.” – deklaroi kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Pasi u konfirmua nga kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, për certifikimin e Listes Serbe, kundër këtij vendimi u shpreh anëtari i KQZ-së nga LVV-ja, Sami Kurteshi.
“Ka shumë dëshmi, shumë elemente që unë mendoj që ky subjekt politik nuk meriton të certifikohet.” – tha ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 23.12.2024, nuk e kishte certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në Zgjedhje.
Pas votimeve, me 2 vota “për”, 2 “kundër” dhe të të tjerëve anëtarë për mospjesëmarrje në votim, moscertifikimin e LS-së e kishte konstatuar kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
“Nuk kalon Rekomandimi i Zyrës për certifikimin e Listës Serbe.” – kishte thënë ai në mbledhjen e KQZ-së, më 23.12.2024.
Vendimi paraprak ishte marrë, pasi u vlerësua nga ana e disa anëtarëve në KQZ, se ka pasur thirrje nacionaliste serbe nga ana e kryetarit të Listës Serbe, Zllatan Ellek – gjatë prezantimit të Listës zgjedhore të këtij subjekti politik.
Lista Serbe pas kësaj më 25.12.2024 kishte parashtruar Ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pasi që nuk u certifikua për Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 në Kosovë.
Ndërsa, PZAP kishte vendosur në favor të kësaj partie.